Libri “Dosjet e Shqipërisë” me projektet zhvillimore në zona të ndryshme, ka rënë vonë në duart e Sali Berishës. Pavarësisht se ka vetëm pak ditë ka dëgjuar për këtë libër dhe e ka shfletuar, lideri demokrat pohon se brenda tij ka element që inkriminojnë Edi Ramën.
“Ky libër përbën dosjen më kriminale në historinë e Shqipërisë të 35 viteve të fundit. Përshëndes dërgimin e tij në SPAK nga përfaqësues të protestës. I garantoj se PD po e studion dhe do paraqesë aktpadinë tjetër po për këtë libër në SPAK. Dhe kjo edhe njëherë për ne konsiderohet dosja më kriminale”, tha Beirsha, përcjell A2 CNN.
Berisha pretendon se në qeverisjen e tij një kompani britanike kishte realizuar një projekt për zhvillimin e jugut të vendit, ku përcaktoheshin qartë zonat ku do të ndërtohej. Në konferencë me gazetarët shton se është Rama që e ka përmbysur studimin britanik.
“Qeveria e mëparshme tregoi një kujdes shumë të veçantë për bregun dhe zhvillimin e turizmit. Për këtë qëllim, përveç ndërtimit të infrastrukturës në të gjithë bregun, ajo mori një kompani britanike të famshme, të shquar, e cila studioi bregun në të gjithë gjatësinë e tij. Dhe kjo kompani, që ta dini ju, përcaktoi me studimin e saj zonat ku nuk mund të ndërtohej. Edi Rama, me të ardhur në pushtet, e përmbysi si studimin britanik”, shtoi ai.
Paralelisht me akuzat për kundërshtarin politik, Berisha foli dhe për riformatimin e selisë blu ku paralajmëroi ndryshime edhe në kupolë.
“Në Partinë Demokratike ka personalitete të shquara. Duhet të marrin vendet që meritojnë në parti. Partia duhet të ripërtërihet me individë të tillë. Ka njerëz të ekselencës gjatë gjithë flurudhës të tyre akademike. Ka shumë njerëz në parti, unë ua kam thënë dhe herë të tjera, po ju e keni dëgjuar ndoshta me skepticizëm. Tani është koha të shfaqen. T'i promovojmë ata dhe të paraqiten. Ripërtëritja është ligj i pandryshueshëm”, tha Berisha.
Kreu i Partisë Demokratike deklaroi se javën e ardhshme do të ketë mbledhjen e radhës Këshilli Kombëtar për të zgjedhur lidershipin e partisë. (A2 Televizion)