Krasniqi: PD duhet të reflektojë për atë që po ndodh në shesh, jo vetëm për çështjen “non grata”

Nga A2 CNN
11 Qershor 2026, 22:24 | Politikë

Krasniqi: PD duhet të reflektojë për atë që po ndodh

Politologu Afrim Krasniqi ka komentuar lajmet që lidhen me heqjen e mundshme të statusit “non grata” për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

I ftuar në studion e “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Krasniqi tha se fillimisht çdo informacion i tillë duhet të konfirmohet nga institucionet përkatëse.

Së pari është një çështje që duhet konfirmuar nga institucionet dhe, nëse provohet, normalisht që është një sukses personal i zotit Berisha për veten e tij”, u shpreh ai.

Sipas Krasniqit, në aspektin politik kjo zhvillim nuk pritet të ketë ndikim të madh në skenën shqiptare.

“Në aspektin e konstelacionit politik në Shqipëri nuk ka asnjë lloj impakti, sepse opozita, për shkak të konfliktit të brendshëm dhe pasojave që ka pasur gjatë katër-pesë viteve të fundit, e ka paguar një çmim të lartë për këtë gjë”, tha ai.

Politologu theksoi se debati kryesor për Partinë Demokratike nuk duhet të jetë statusi i Berishës, por aftësia e saj për të kuptuar mesazhet që vijnë nga shoqëria.

“Nuk mendoj që drejtimi aktual i Partisë Demokratike përcaktohet nga kjo. Pyetja është: a kanë mësuar, a kanë kuptuar gjë nga ajo që po ndodh në Tiranë dhe si është e mundur që gjithë brezi i ri del e proteston dhe njëson opozitën me qeverinë? Kjo është më e rëndësishme se të gjitha këto të tjerat që janë çështje lobingu dhe histori personale”, deklaroi Krasniqi.

Ai shtoi se nuk do të dëshironte që asnjë shqiptar të ishte i sanksionuar nga një shtet i huaj, por ngriti pikëpyetje mbi standardet që ndiqen në trajtimin e rasteve të ndryshme.

“Nga ana tjetër, unë nuk do doja të kisha asnjë lloj shqiptari të sanksionuar nga asnjë shtet në botë. Por është interesante që flasim për individë të caktuar dhe heshtim për të tjerët që përballen me hetime apo masa ndërkombëtare”, u shpreh ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos