Helmimi te akademia e sigurisë, PD: Pasojë e një qeverisjeje që ka humbur prioritetet

Nga A2 CNN
26 Qershor 2026, 15:01 | Politikë

Helmimi për herë të dytë i studentëve të Akademisë së Sigurisë, për Partinë Demokratike është një kambanë alarmi për sigurinë ushqimore në vend. Në një deklaratë për mediat, anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari, tha se helmi i studentëve është pasojë e një qeverisje që ka humbur prioritetet.

“Brenda vetëm dy muajsh kemi pasur dy helmime masive të studentëve, të cilët kanë përfunduar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Pas rastit të parë u premtuan hetime dhe masa. Por fakti që e njëjta ngjarje u përsërit tregon se ose nuk u morën masa, ose ato ishin tërësisht të paefektshme. Nëse në Akademinë e Sigurisë nuk garantohet dot një vakt i sigurt për studentët, çfarë sigurie mund të presin qytetarët në shkolla, spitale, konvikte apo në çdo institucion tjetër publik? Çfarë besimi mund të kenë ata te një shtet që dështon edhe në detyrimet më bazë? Ky nuk është një incident i izoluar. Është pasojë e një modeli qeverisjeje që ka humbur prioritetet”, tha Muçollari, përcjell A2 CNN.

“Një qeverisjeje që nuk është më e përqendruar te zgjidhja e problemeve të qytetarëve, por te ruajtja e pushtetit. Siguria ushqimore nuk është luks. Është detyrim. Ashtu si siguria, shëndeti dhe dinjiteti i çdo qytetari. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që qeveris dhe mban përgjegjësi. Ndryshimi është i domosdoshëm, këtë e fakton dhe reagimi qytetar. Prandaj protesta qytetare duhet të vazhdojë dhe çdo qytetar që beson në institucione funksionale dhe një shtet që mbron njerëzit, duhet t’i bashkohet. Ndryshimi do te vije te dashur qytetarë sepse gjithsecili prej jush po refuzon dështimin dhe po kerkon një Shqipëri më të mirë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos