
Mes trysnive dhe kritikave që qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti po përballet për çështjen e gazit amerikan, ministrja e ekonomisë Artane Rizvanolli ka dalë sot me një video mesazh në rrjetet sociale.
Duke mohuar pretendimet se qeveria ka refuzuar projektin për gazin e lëngëzuar amerikan, LNG, ajo ka sqaruar se kane gjetur zgjidhjen me të lirë për qytetarët siç janë thëngjill e burimet e ripërtëritshme të energjisë si era dhe dielli. Sipas saj, Kosova nuk e ka as përvojën dhe as infrastrukturën për t’u furnizuar me LNG, prandaj çështja e diskutimit të gazit amerikan “është përtej politikave ditore”.
Rizvanolli thekson se qeveria që në vitin 2022 ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Shqipërinë për projektin e termocentralit të Vlorës me LNG, duke e konsideruar këtë alternativë si më praktike, më të shpejtë dhe ekonomikisht më të favorshme.
Qeveria në detyrë është përballur me thirrje të vazhdueshme, nga Ambasada amerikane në Prishtinë e deri tek odat ekonomike në vend dhe opozita, për të hyrë në projektet e gazit amerikan.
Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës paralajmëruan ditë më parë se refuzimi i projekteve rajonale të LNG-së rrezikon të kenë ndikim negativ në partneritetin e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
Disa shtete të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshje me kompani amerikane dhe SHBA-në për të zgjeruar rrjetin e gazit, mes të cilave Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina. (A2 Televizion)