
Kryedemokrati Sali Berisha, në dalje nga SPAK, ku u paraqit në zbatim të masës detyrim paraqitje, tha se po fshihen emrat e qeveritarëve që sipas tij janë të përfshirë në dosjen “Aruba”. Sipas kreut të PD Engjëll Agaçi, Ergys Agasi e të tjerë, përfliten se janë pjesë e dosjes “Aruba”.
“Pra, nuk ka akt më të shëmtuar se për 130 milionë euro të mos ketë një zyrtar të lartë të prangosur, qoftë ai ministër, qoftë ai zëvendëskryeministër apo kryetar bashkie. Kjo është amnisti e krimit. Përveç kësaj, siç e shihni ju, a ka dëshmi më flagrante të përkatësisë partiake të këtij institucioni, i cili mban të fshehtë emra. Ose si Engjëll Agaçi, Ergys Agasi e të tjerë, të cilët përfliten se janë në dosjen Aruba dhe dalin emrat e trafikantëve, dalin emrat e biznesmenëve të dërguar në Aruba me porositë e qeverisë, por jo të qeveritarëve sepse kjo do të ishte dëshmia absolute e narkoshtetit shqiptar. Ka gjë më të turpshme, ka gjë më të papërgjegjshme se kjo? Pyesni shqiptarët: Pse nuk tregojnë cilët qeveritarë tuaj shkuan te trafikantët e drogës? Këta janë më të këqij se ata, ata që fshehin emrat e tyre. Dhe njëri prej tyre, më kryesori, është Altin Dumani i cili ka dosjen”, tha Berisha. (A2 Televizion)