Rikthehen tentativat e skafeve me klandestinë nga grykëderdhja e Vjosës drejt Italisë. Por, kësaj radhe emigrantët i përkasin kombësive të huaja, të cilët dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në vendin tonë dhe po në të njëtën mënyrë po tentonin të largoheshin drejt vendeve të BE.
Në fakt, përpjekja e tyre mund të kthehej në një tragjedi, pasi mjeti lundrues, një gomone prej vetëm 4 metrash, kishte futur ujë dhe alarmi SOS që ata lëshuan fatmirësisht u kap nga autoritet kufitare detare dhe Qendra Kombëtare e Kërkim Shpëtimit, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Vlorës lokalizuan rreth 8 milje përballë grykëderdhjes së Vjosës gomonen me klandestinë, duke i shpëtuar dhe rikthyer shëndoshë e mirë në breg.
Klandestinët u morën nga Policia e Vlorës, e cila tashmë ka nisur hetimet për organizmin e kësaj tentative të trafikimit njerëzor, shkruan A2.
Shqipëria, si nëpërmjet rrugëve tokësore ashtu edhe atyre detare, është përdorur disa here nga grupe të emigrantëve klandestinë, që shpeshherë edhe me ndihmën e grupeve kriminale shqiptare dhe të huaj kanë organizuar tentativa për kalimin e tyre drejt vendeve të BE. (A2 Televizion)