Për privatizimin e "Partizanit", ish-ministri Pango: S'kam folur me Berishën e Malltezin

Nga Armand Bajrami
22 Qershor 2026, 15:31 | Kronikë

Ish-ministri i Kulturës në vitet 2007-2009, Ylli Pango, thatë hënën në Gjykatën e Posaçme se nuk kishte biseduar ndonjëherë me ish-kryeministrin, Sali Berisha, apo dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, mbi privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

“Nuk kujtoj të kem folur ndonjëherë më Jamarbër Malltezin, as për sportet e as për privatizimet. As me z. Malltezi e as me z.Berisha”, tha Pango.

Ish-ministri i Kulturës pyet si dëshmitar i SPAK në gjykimin e dosjes “Partizani”, ku për shumicën e pyetjeve të drejtuara tha se nuk mbante mend për shkak të kohës së gjatë që kishte kaluar.

Duke përmendur edhe ekspertizën e tij në psikologji dhe një botim të tijin mbi kujtesën, Pango tha se është e vështirë të mbash mend një dokument, një ligj, një akt, nëse nuk ka një shkak të madh për ta mbajtur mend.

“Unë falënderoj median, tha dëshmitari, që kanë botuar disa dokumente, që më kanë rifreskuar kujtesën”.

Pango tregoi se kur drejtonte ministrinë e Kulturës, më shumë se sportin kishte në fokus turizmin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. 

“Me sportin nuk kam pasur probleme. Nuk kujtoj që po sulmohej apo përvetësohej ndonjë terren sportiv”, u shpreh dëshmitari.

I pyetur mbi ndryshimet ligjore, që lejonin dhënien e terreneve sportive me koncesion, por pa ndryshim destinacioni dhe më pas në vitin 2008 dhënien e pëlqimit për privatizim, Pango u shpreh: “Mendoj se ndryshimi ka qenë për koncesion, por edhe për privatizim. Këto nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën”.

Pango theksoi disa herë se qeveria e kohës i kishte prioritet privatizimet.

“Nëse unë jam para një kërkese që shtrohet në disa mbledhje qeverie, për të bërë privatizimin, dhe mua më vjen një kërkesë, ku thuhet se ekziston prona, atëherë unë duhet të them mos ja jepni pronarit?”.

Në seancën e së hënës dëshmuan edhe Tetis Lubonja dhe Altin Cene, ish-funksionarë të sektorit juridik në Agjencinë e Kthimit e Kompensimit të Pronave. Ata pohuan se kishin zbatuar me përpikëri ligjin gjatë procedurës së ndjekur për kthimin e pronës tek ish-kompleksi “Partizani”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos