Një sallon bukurie në Miami po shfrytëzon ethet e Kupës së Botës duke u ofruar tifozëve të futbollit një mënyrë unike për të shprehur mbështetjen e tyre dhe pikturon flamujt kombëtarë të vendeve konkurruese në thonjtë e duarve dhe të këmbëve. Ky shërbim kushton 100 dollarë dhe shumë klientë rezervojnë takime para se të shkojnë në stadiume apo në fanzona ku do të ndjekin ndeshjet, për të qenë në këtë mënyrë më pranë kombëtares së tyre.
Midis tyre ishte edhe artistja 28-vjeçare nga Miami, Kamila Buttle, një tifoze e përkushtuar e Lionel Mesit, e cila zgjodhi flamurin e Argjentinës në thonjtë e saj. "Meqë nuk mund ta vesh gjithmonë fanellën time, më duhej të kisha diçka me vete. E dini, diçka që ta kem gjithmonë me vete", thotë ajo, përcjell A2 CNN.
Pronarja e sallonit, Rita Pinto, u shpreh se kërkesat më të shumta janë për Brazilin, Argjentinën dhe Portugalinë, duke theksuar se komuniteti më i madh është amerikano-latin. Ndërsa dega e sallonit në Nju Jork u shpreh se kërkesa më e madhe është për flamurin japonez.
Miami është një nga qytetet pritëse të Kupës së Botës, me shtatë ndeshje të planifikuara në stadiumin “Hard Rock” në Miami Gardens. (A2 Televizion)