
Një ngjarje që mund të kishte përfunduar me pasoja të rënda është shmangur falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë Kufitare në Himarë. Një 35-vjeçar nga Orikumi ra në det gjatë lëvizjes me gomone, ndërsa mjeti lundrues vijoi të lëvizte në mënyrë të pakontrolluar.
Sipas Policisë, pas sinjalizimit se një gomone po lëvizte me shpejtësi dhe pa persona në bord, shërbimet kufitare ndërhynë menjëherë në zonën e Kepit të Rigonit, përballë plazhit të Llamanit.
Nga verifikimet rezultoi se drejtuesi i gomones, shtetasi E.M., 35 vjeç, banues në Orikum, kishte rënë në det gjatë lëvizjes së mjetit. Ai arriti të dilte në Gjirin e Llamanit, ku u gjet i dëmtuar në këmbë, shkruan A2CNN.
35-vjeçari u transportua në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, gomonia vazhdonte të lëvizte pa kontroll, duke rrezikuar mjetet e tjera lundruese dhe pushuesit në zonë.
Një punonjës i Njësisë Policore Detare arriti të hipte në bord dhe ta ndalonte mjetin, i cili më pas u shoqërua në Pikën e Kontrollit Kufitar Himarë për verifikime të mëtejshme. (A2 Televizion)