Hoteli i sekuestruar në Jalë, Berisha: Dyshohet se toka ndodhet brenda kufijve të pretenduar nga familja e Ramës

Nga Anesti Barjamemaj
19 Qershor 2026, 15:20 | Kronikë

Me dokumente në duar, Sali Berisha doli këtë të premte para mediave për të denoncuar atë që sipas tij SPAK nuk i ka thënë për dosjen hetimore që çoi në firmosjen e 10 urdhërarreste dhe u sekuestruan qindra milionë Euro. Berisha foli për një nga pronat e sekuestruara nga SPAK, duke hedhur dyshime se grupi kriminal kishte bërë blerje fiktive të pronës në Jalë ku do të ndërtohej hoteli me 5 yje.

“Ajo që bie në sy është se toka që Isa Aliu ka blerë në breg të detit në Jalë është me çmime jashtëzakonisht të ulëta, qesharake. Këtë zonë në tokën kadastrale me një sipërfaqe prej 15 mijë metër katrorë, Isa Aliu e ka blerë me vetëm 6 milionë lekë të reja ose me kursin e kohës e ka blerë gjithsej me 54 mijë euro. I bie 3-4 euro metri katror”, tha Berisha, përcjell A2 CNN.

Në të bazë të kërkimeve që tha se i ka bërë Partia Demokratike Berisha ngriti dyshimet se toka ku ka nisur ndërtimi i hotelit të sekuestruar, ndodhet brenda kufijve të pretenduar nga familja e Edi Ramës, dhe shtoi se nuk ka pasur një shitës për këtë parcelë.

“Pozicioni ku është blerë toka lë shumë për të dyshuar. Disa gjëra që janë të sigurta janë fakti se toka ndodhet në kufi me tokën e pretenduar nga Edi Rama. Ndërsa dyshimi i fortë mbetet se kjo tokë është brenda kufijve për të cilën Edi Rama, e ndjera Aneta Rama dhe Olsi Rama pretendojnë bashkë me gjithë fisin Koleka”, shtoi Berisha.

Këto akuza vijën një ditë pas seancës plenare ku u shfaq kryeministri Rama, por demokratët bojkotuan votimin e amnistisë. I pyetur se përse vendosën që të bojkotojnë, Berisha deklaroi se socialistët kishin shtuar amendamente për të shpëtuar zyrtarë të lartë që janë në hetim. “Së pari, ne nuk jemi kurrë dakord me një proces të përvitshëm. Së dyti, sa për dijeni, ata sollën amendamentin, por natyrisht ne s'e kemi mbështetur kurrë, me të cilin donin të ndërprisnin proceset gjyqësore. Gjë e cila kishte të qartë Lubi Ballukun e të tjerë. Ne atë nuk e pranojmë kurrë, kurrë”.

Një koment pati edhe për incidentin e ndodhur gjatë protestës së 19-të, ku disa qytetarë u përplasën me simpatizantë të Partisë Demokratike. Prapa incidentit lideri demokrat sheh ata që i quan opozitë e opozitës, por ftoi mbështetësit të dalin në protestë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos