Sulm me review-të negative ndaj bizneseve, 8 kallëzime të reja në polici, 200 persona të dyshuar

Nga Igli Çelmeta
13 Korrik 2026, 16:54 | Kronikë

Policia ka identifikuar rreth 200 persona që dyshohet se kanë dhënë në mënyrë të qëllimshme vlerësime negative ndaj bizneseve në Shqipëri. Po ashtu, në Sektorin për Hetimin e Krimit Kibernetik janë regjistruar edhe tetë kallëzime të reja nga subjekte të ndryshme. Pak ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi se ishin evidentuar rreth 10 mijë vlerësime negative të vendosura si formë sulmi.

Më 9 korrik, në një konferencë të posaçme për mediat, kreu i Policisë së Shtetit njoftoi se bizneset në Shqipëri ishin përballur me një sulm të qëllimshëm përmes vlerësimeve negative.

"Janë evidentuar rreth 10 mijë vlerësime negative..."

Pas kësaj deklarate, në Sektorin për Hetimin e Krimit Kibernetik janë depozituar edhe tetë kallëzime të tjera nga administratorë ose pronarë subjektesh, kryesisht në fushën e turizmit. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se deri tani janë krijuar dyshime të forta për të paktën 200 persona që kanë vepruar në mënyrë të qëllimshme duke publikuar vlerësime negative ndaj bizneseve. Të njëjtat burime shtojnë se hetimet e thelluara vijojnë.

Ndërkohë, reagime pati edhe nga institucionet shtetërore, të cilat thanë se në bashkëpunim me Google arritën të heqin një numër të konsiderueshëm të këtyre vlerësimeve, që sipas autoriteteve kishin dëmtuar shumë biznese, mes tyre edhe ato të sipërmarrësit Gjergj Luca.

Edhe kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale shembuj të vlerësimeve negative të lëna për Kalanë e Rozafës, duke i paraqitur ato si provë të veprimeve të qëllimshme për të dëmtuar imazhin e bizneseve dhe destinacioneve turistike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos