“Ata na mbajnë gjallë”, emigrantët dërguan pranë familjeve 274 milionë në tre muajt e parë të vitit

Nga Mario Brakaj
15 Qershor 2026, 19:08 | Ekonomi

“Ata na mbajnë gjallë”, emigrantët dërguan

Kryesisht nga fëmijët dhe të afërmit në Itali, Greqi e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ata në Gjermani, Francë apo Belgjikë, emigrantët shqiptarë iu dërguan familjeve të tyre mbi 274 milionë euro në 3 muajt e parë të vitit. Të dhënat nga Bankës e Shqipërisë tregojnë se në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, remitancat janë rritur me 23.6 milionë euro apo 9.4 për qind.

"Fëmijët i kemi në Itali prej vitesh dhe ata janë mbështetja jonë kryesore. Pensionet nuk mjaftojnë për të përballuar të gjitha shpenzimet e muajit, sidomos kur ke edhe ilaçe apo shpenzime të tjera të papritura. Nëse nuk do të na ndihmonin, do të ishte shumë e vështirë të jetonim me të ardhurat që kemi."

Një studim i fundit i Bankës se Shqipërisë tregonte se 59 për qind e familjeve shqiptare nuk përballojnë dot shpenzimet e papritura, dhe se remitancat janë një faktor me rëndësi madhore për reduktimin e varfërisë.

"Tani që janë rritur çmimet jemi të detyruar t’u kërkojmë fëmijëve më shumë para. Dikur ajo që na dërgonin mjaftonte për të përballuar muajin, ndërsa tani shpenzohet shumë më shpejt. Çdo gjë është bërë më e kushtueshme dhe këtë e ndiejmë çdo ditë."

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, dy qarqet më të varfra të vendit, Kukësi dhe Dibra, janë edhe ato që kanë varësinë më të lartë nga remitancat. Nevojën për më shumë para si pasojë e shtrenjtimit të jetesës e pohojnë edhe vetë qytetarët që presin remitanca.

 “Unë kam vëllezërit që më ndihmojnë, se përndryshe do të ishte shumë e vështirë. Të ardhurat që kemi nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha shpenzimet, sidomos kur dalin nevoja të reja. Fatmirësisht kemi familjarët jashtë që nuk na kanë lënë vetëm."

Por nga ana tjetër kursi i këmbimit po i dëmton familjet që mbahen nga remitancat, pasi për të njëjtën shumë eurosh apo dollarë po marrin më pak para nga  konvertimi në lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos