“Muzika, arti në vetvete... janë disa nga industritë që janë përdorura nga vende të ndryshme për të rritur Prodhimin e Brendshëm bruto”, u shpreh Eugen Musta, ekspert për ekonominë.
Teksa Tiranën e ndajnë vetëm pak orë nga koncerti i reperit amerikan Kanye West, një artist që krijon po aq polemika sa audiencë... eventi është kthyer në një bast financiar, reputacioni dhe logjistike.
"Në shumë shtete europiane koncertet dhe festivalet janë përdorur si instrument për të gjallëruar ekonominë lokale. Vizitorët konsumojnë më shumë, zgjasin qëndrimin dhe krijojnë qarkullim të ri financiar, duke përfituar një numër i madh biznesesh njëkohësisht", tha Leons Hasani, ekspert për ekonominë.

Koncerti i West i cili do të mbahet në “Eagle Stadium” me kapacitet 60 mijë vende dhe bileta që luhaten nga 120 në 330 euro është kthyer një provë force për ekonominë e argëtimit në Shqipëri, në një moment kur vendi po tenton të hyjë në hartën e eventeve rajonale me ndikim global.
"Është ende herët për të nxjerrë një përfundim. Rezultati do të matet jo vetëm me numrin e pjesëmarrësve, por edhe me ndikimin real ekonomik që do të lërë pas ky organizim në sektorë të ndryshëm", u shpreh Eugen Musta, ekspert për ekonominë.
Narrativa publike mbetet e ndarë. Nga njëra anë, kryeministri flet për një interes ndërkombëtar rekord dhe alokon 4.2 milionë euro nga buxheti i shtetit.
"Në rastin e Shqipërisë, një investim i tillë mund të konsiderohet i arsyeshëm nëse arrin të sjellë vizitorë nga jashtë dhe të krijojë vlerë të shtuar për ekonominë. Ajo që ka rëndësi është që përfitimet të tejkalojnë kostot publike", deklaroi Leons Hasani, ekspert për ekonominë.
Nga ana tjetër, platforma zyrtare e shitjes së biletave vijon të shfaqë gjysmën e biletave ende të pa-shitura, duke ngritur pikëpyetje mbi suksesin e koncertit dhe njëherazi përfitimet ekonomike të Shqipërisë.

"Ajo që më shqetëson si ekonomist është raporti mes investimit dhe kthimit. Nëse pjesa më e madhe e audiencës është vendase, efekti ekonomik është më i kufizuar. Përfitimi real vjen kur eventi tërheq turistë të rinj dhe sjell para të reja në ekonomi", tha eksperti i ekonomisë Eugen Musta.
Ndërsa tregu shqiptar është i vogël për koncerte të këtyre përmasave, shpresa ishte tek turistët e huaj.
"Për një koncert të këtyre përmasave do të prisnim një rritje të ndjeshme të kërkesës për akomodim, sidomos në Tiranë dhe Durrës. Prenotimet janë një nga treguesit më konkretë për të matur interesin e vizitorëve të huaj", u shprehe ekspertja e turizmit Fjorinda Zani.
Një element real që tregon për interesin e turistëve është ai i prenotimeve të hoteleve. Ndonëse është kulmi i sezonit dhe pritet të mbahet një koncert i madh, në kryeqytet dhe Durrës mund të prenotosh lirshëm në hotele dhe apartamente me qira ditore.
"Nëse kapacitetet akomoduese nuk mbushen në një periudhë që përkon me sezonin turistik dhe me një event ndërkombëtar, kjo tregon se ndikimi në turizëm mund të jetë më i ulët nga sa është parashikuar. Vlerësimi përfundimtar do të bëhet pasi të analizohen të dhënat pas koncertit", tha Zani.
Koncerti po teston disa gjëra njëkohësisht, fuqinë blerëse të publikut shqiptar, gatishmërinë e infrastrukturës, kapacitetin organizativ të industrisë lokale, tërheqjen e turistëve dhe aftësinë e Shqipërisë për të menaxhuar një event me standarde ndërkombëtare. Nëse projekti funksionon, ai mund të hapë derën për një treg të ri koncertesh dhe eventesh masive në vend. Nëse dështon, do të shërbejë si shembulli më i qartë se ambicia e ka kaluar kapacitetin real të tregut shqiptar. (A2 Televizion)