Në prezantimin e programit Rilindja 2.0, Kryeministri Rama u shpjegoi socialistëve se pakënaqësia e qytetarëve nuk vjen nga mosmirënjohja, por nga pritshmëritë. Ky është çmimi i suksesit, pohoi ai. Nuk munguan referencat për protestën, kur Rama theksoi se përballë recetave çudibërëse, socialistët duhet të vrapojnë me projektet që sjellin zhvillim.
“Dikur fitoje votat me çakull”. Kështu iu drejtua Edi Rama socialistëve që nuk kuptojnë përse elektorati nuk ndjehet i kënaqur më punët e mazhorancës. Ai u shpjegoi se pakënaqësia e qytetarëve nuk vjen nga mosmirënjohja, por nga pritshmëritë që kanë ndryshuar.
“Është stresuese po është çmimi i rezultatit. Çmimi i suksesit, fatura”. Për këtë nevojitet Rilindja 2.0, një program që parashikohet të financojë 1.5 miliardë euro, nevojat e një elektorati që është bërë më kërkues, jo më negativ", shpjegon Rama.
“Nuk ka Shqipëri më lart me recetat që dëgjohen vërdallë, çdo recetë nga ato që dëgjohen vërdallë është Shqipëria me kokë poshtë. Apo do të jetë një karburant që do ta çojë Shqipërinë me kokë poshtë?”, vijoi Rama.
Referencat për protestën filluan të bëheshin qarta, ndonëse Rama nuk e përmendi asnjëherë. Socialistëve u la një detyrë që e quan kombëtare dhe historike.
“Të mos lejojmë në asnjë mënyrë që marrëzia e zgjidhjeve magjike të fitojë terren, se pastaj gjithçka që kemi fituar, do të shkojmë me kokë poshtë. për ata që besojnë tek këto lloj ilaçesh çudibërëse, ne duhet të vrapojmë më shpejt. Shumë më shpejt!”
Përballë recetave që i konsideron çudibërëse, kërkon nga të vetët të ndryshojnë ritëm.
“Ne duhet të vrapojmë më shpejt, shumë më shpejt. Fallxhorët ia fusin kot, njerëzit nuk ia fusin kot. Njerëzit kanë një nevojë që ne duhet t’ua kuptojmë dhe t’ua plotësojmë. Po ngelën në dorë të fallxhorëve, do jetë shumë vonë pastaj”. (A2 Televizion)