
Zjarri i rënë në Mallakastër po rrezikon Parkun Arkeologjik të Bylisit, ndërsa disa hektarë me ullishte dhe shkurre u dogjën në fshatin Hekal.
Flakët u shfaqën rreth orës 09:00 të mëngjesit dhe fillimisht u vunë nën kontroll nga zjarrfikësit e Ballshit, por era e fortë riaktivizoi vatrën në mesditë.
Në operacionin e shuarjes u angazhuan forcat zjarrfikëse të Ballshit dhe Fierit, ndërsa për shkak të afërsisë me Parkun Arkeologjik të Bylisit ndërhyrja u krye edhe nga ajri. Ekipet vijojnë monitorimin e zonës për shkak të rrezikut të riaktivizimit nga era e fortë.
Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit është bërë djegia e mbeturinave në tokat përreth, ndërsa policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve. (A2 Televizion)