
Tensionet në Gjirin Persik vijojnë të mbeten të larta, ndërsa ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka paralajmëruar se çdo ndërhyrje e jashtme në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit, jashtë marrëveshjes së arritur me Shtetet e Bashkuara, mund të sjellë një përshkallëzim të ri të situatës.
Deklarata e Araghchit vjen pas tre ditësh përplasjesh të reja mes Teheranit dhe Uashingtonit, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e armëpushimit të parashikuar në memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar më 17 qershor për kontrollin e kësaj rruge strategjike detare.
Edhe pse Ngushtica e Hormuzit u rihap më 17 qershor, autoritetet iraniane kanë lejuar vetëm një korridor lundrimi përgjatë bregdetit të tyre, duke paralajmëruar se çdo anije që nuk respekton rregullat e vendosura mund të bëhet objekt sulmi, shkruan A2CNN.
Situata u përkeqësua pasi Omani njoftoi hapjen e një rruge alternative detare, në bashkëpunim me OKB-në, për evakuimin e anijeve të bllokuara. Pak më vonë, një anije mallrash dhe një tanker nafte u goditën nga raketa me origjinë ende të paqartë, çka nxiti shkëmbime sulmesh mes SHBA-së dhe Iranit.
Uashingtoni akuzoi Teheranin për sulmin ndaj anijeve dhe ndërmori goditje ndaj objektivave ushtarake iraniane. Në kundërpërgjigje, Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt pozicioneve amerikane në Bahrein, si edhe drejt objektivave në Kuvajt dhe Bahrein.
(A2 Televizion)