
Zjarri pranë Parkut Arkeologjik të Bylisit në Mallakastër vijon të mbetet aktiv, ndërsa autoritetet kanë intensifikuar operacionin për shuarjen e flakëve, të cilat po favorizohen nga era e fortë dhe terreni i vështirë malor.
Për shkak të pamundësisë së ndërhyrjes me automjete zjarrfikëse në zonën e përfshirë nga flakët, operacioni po zhvillohet kryesisht nga ajri me ndihmën e një helikopteri. Në terren janë angazhuar gjithashtu forca zjarrfikëse nga Ballshi dhe Fieri, të cilat janë vendosur në pika strategjike përgjatë parkut për të penguar përhapjen e zjarrit drejt pjesës qendrore të tij, shkruan A2CNN.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë prekur disa sipërfaqe brenda parkut, mes tyre zonën e Bazilikës E dhe Banesës A. Ndërkohë, vatra më problematike mbetet pjesa jugore e Parkut Arkeologjik të Bylisit, ku zjarrfikësit po vijojnë përpjekjet për vënien nën kontroll të situatës.
Raportohet se deri tani janë djegur dhjetëra hektarë me shkurre dhe qindra rrënjë ulliri. Autoritetet mbeten në gatishmëri, ndërsa operacioni vazhdon për të shmangur dëmtimin e mëtejshëm të parkut dhe përhapjen e flakëve në zona të tjera. (A2 Televizion)