Vala e të nxehtit godet Francën, gazetarja shqiptare: Mbi 40 viktima nga temperaturat ekstreme

Nga A2 CNN
24 Qershor 2026, 08:46 | Aktualitet

Franca po përballet me një valë të fortë të nxehti, që ka sjellë temperatura rekord dhe pasoja të rënda në disa rajone të vendit.

Gazetarja shqiptare Renata Dragusha, e cila jeton në Nice, në jug të Francës, tha në emisionin "Dita Jonë" në A2CNN se situata është shqetësuese, ndërsa autoritetet kanë marrë masa, mes të cilave mbylljen e mijëra shkollave. 

Sipas gazetares, dita e djeshme u regjistrua si një nga më të nxehtat në historinë e vendit, ndërsa në qytetin e Nante temperaturat arritën deri në 42 gradë Celsius. Gazetarja bën me dije se sipas autoriteteve deri më tani janë mbi 40 të vdekur si pasojë e të nxehtit në Francë.

Unë jetoj në Nice, në Jug të Francës. Është shumë e vërtetë që temperaturat janë super të larta, madje dje është shënuar temperatura më e lartë prej shumë kohësh në Francë. Shkolla vazhdon deri në 4 korrik, por një numër i lartë prej tyre janë mbyllur. Dje është shënuar si dita më e nxehtë në Francë. Në Nante kanë arritur deri në 42 gradë celsius. Një pjesë e njerëzve janë këshilluar të mos dalin nga shtëpia, sidomos në orët e pikut. Ministri konfirmoi se janë mbi 40 të vdekur që shënohen në Francë. Është vërtet shqetësuese. Të hënën u regjistrua nata më e nxehtë që nga viti 1947 në Francë. Veriu i Francës s’është mësuar me temperatura të larta. Jugu ka edhe detin pranë, por në vende të tjera është jashtë logjike”, u shpreh Dragusha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos