Kampus i ri universitar në Durrës, Rama: Më pas do të sistemohet strehimi i studentëve

Nga A2 CNN
23 Qershor 2026, 17:19 | Aktualitet

U prezantuan 5 ekipet finaliste për ndërtimin e kampusit të ri universitar në Durrës. Duke vlerësuar këtë hap të rëndësishëm për universitetin Aleksandër Mosiu, kryeministri Edi Rama tha se hapi i radhës do të jetë zgjidhja e strehimit të studentëve.

“Kemi gati zanafillën e një projekti shumë të madh dhe ambicioz për kampusin e ri unversitar të Durrësit, për të investuar në një zhvillim që do të përmbyllë një proces të nisur shumë vite më parë. Do të mundësojë që këtu të mos ketë thjesht studentë që vijnë për të marrë shërbim dhe për t’u larguar por të ketë një qendër komunitare studentore, e cila të jetojë 24 orë. Ky është një tjetër rezultat i protestës së studentëve të vitit 2018, ku ne dëgjuam me shumë vëmendje se çfarë kërkohej dhe ndamë gjithçka që nuk kishte lidhje me të ardhmen dhe me mundësitë tona, me atë që kishte realisht lidhje me të ardhmen. Mbi bazën e paktit të universitetit ndërtuam një proces, i cili solli risi pozitive për studentët, kushte shumë më të mira në konvikte dhe universitete, mbështetje më të madhe financiare për arsimin e lartë. Sot ky proces duhet të shkojë një shkallë më tutje. Duam t’i japim një drejtim edhe çështjes shumë të mprehtë të strehimit të studentëve gjatë periudhës së studimeve pasi jo të gjithë studentët qëndrojnë në konvikte, jo e gjithë infrastruktura e konvikteve ka kapacitetet të përballojë kërkesat dhe shumë studentë marrin apartamente me qira dhe kjo e rëndon buxhetin e tyre. Krijimi i një zone rezidenciale për studentët bën të mundur që studentët të kenë një strehim shumë më të arsyeshëm dhe të socializohen”, theksoi kryeministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos