
Protesta shënon sot të 36-ën ditë, me qytetarët në shesh që kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Rama. Protestuesit thonë se do të vijojnë mobilizimin deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa vëmendja mbetet te reagimet e institucioneve dhe aktorëve politikë.
Ndërkohë, mbrëmë protesta qytetare kulmoi me tubimin e katërt kombëtar në sheshin para Kryeministrisë. Me kërkesat e pandryshuara, qytetarët, të cilëve iu bashkuan edhe shqiptarë të diasporës, protestuan për disa orë para godinës së Kryeministrisë.
Por, ndryshe nga ditët e shkuara, në këtë protestë të katërt kombëtare simbolika ndryshoi. Flamujve kuqezi, pankartave dhe thirrjeve “Rama burg”, “Berisha burg”, “Rama jep dorëheqjen” apo “Shqipëri e re”, iu shtuan edhe disa elemente.
Për kryeministrin Rama, që dje festoi ditëlindjen, protestuesit i kishin një tortë prej betoni. Simbolika lidhet me investimin në Zvërnec, pasi tortës i ishin vënë edhe disa flamingo.
Ndërsa në majë të tortës shkruhej: “Shumë burg për ty!”. “Edhe 100 vite në burg!”, ishte “urimi” i tyre. Torta ndiqej edhe nga një paradë flamingosh.
(A2 Televizion)