
Mbi 120 akademikë dhe intelektualë shqiptarë që jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të botës kanë dalë në mbështetje të protestës qytetare në Shqipëri dhe kërkesave të protestuesve për një “Shqipëri të re”.
Përmes një deklarate të përbashkët, firmëtarët kanë vlerësuar si legjitime kërkesat për një qeverisje më të përgjegjshme, më transparente dhe më të drejtë, si dhe për institucione që të jenë në shërbim të qytetarëve dhe jo të pushtetit.
Sipas tyre, kriza aktuale në vend nuk lidhet vetëm me zhvillimet politike, por edhe me gjendjen e arsimit, shkencës dhe inovacionit. Akademikët theksojnë se nënfinancimi kronik, dobësimi i integritetit akademik dhe mungesa e një vizioni afatgjatë për dijen kanë ndikuar në largimin e vazhdueshëm të trurit shqiptar drejt vendeve të tjera.
Ndërkohë, mbështetje për këtë qëndrim ka shprehur edhe Marie Curie Alumni Association (MCAA), një rrjet ndërkombëtar me mbi 24 mijë anëtarë në më shumë se 155 vende të botës. Në një deklaratë publike të datës 19 qershor 2026, organizata shprehet në solidaritet me deklaratën e akademikëve shqiptarë të diasporës dhe me protestat paqësore qytetare në Shqipëri.
MCAA vlerëson se protestat pasqyrojnë një pakënaqësi më të thellë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe një lodhje në rritje të qytetarëve. Sipas organizatës, dobësimi i sistemit të arsimit, kërkimit shkencor dhe inovacionit përbën një nga sfidat kryesore për zhvillimin e vendit. (A2 Televizion)