
Gatishmëria e Moskës për të pritur presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, si dhe detajet mbi vizitën e pritshme të emisarëve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë qenë në qendër të deklaratës së zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov.
Sipas agjencisë TASS, Peskov u shpreh se aktualisht nuk ekziston një kanal zyrtar komunikimi mes Moskës dhe Kievit, por përcolli mesazhin e Presidentit Vladimir Putin se Zelensky është i mirëpritur në Moskë “nëse është i gatshëm për bisedime serioze”.
Ai tha se Rusia ka paraqitur më herët të gjitha pikat e mundshme për negociata dhe se pala ukrainase i njeh ato.
Në lidhje me zhvillimet diplomatike, Peskov konfirmoi gjithashtu se emisarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritet të vizitojnë Rusinë, por ende nuk ka një datë të saktë për mbërritjen e tyre. Sipas tij, ata aktualisht janë të angazhuar me finalizimin e një memorandumi që pritet të nënshkruhet në Zvicër në fund të kësaj jave, përpara se të udhëtojnë drejt Moskës, shkruan A2CNN.
(A2 Televizion)