Maturantët mbyllën edhe provimin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë. Për dy orë e gjysmë demonstruan njohuritë mbi morfologjinë dhe sintaksën e shqipes dhe zhvilluan analizën letrare të veprës “Prometeu i mbërthyer”, një prej mesazheve të së cilës është rezistenca dhe altruizmi kundër pushtetit arbitrar për hir të drejtësisë. Ata provuan për herë të fundit në maturë edhe stilin, shprehinë e botëkuptimin e tyre në ese.
Por ndryshe nga provimi i anglishtes, teza e gjuhës shqipe dhe letërsisë nuk arriti të qëndronte brenda ambienteve të testimit. Një orë pas nisjes së provimit disa faqe të tezës u publikuan dhe u shpërndanë në rrjete sociale.
Por sistemi i gjurmimit identifikoi menjëherë maturantin që nxori tezën. Maturanti u përjashtua nga provimi dhe penaliteteve nuk do t’u shpëtojnë as administratorët.
Maturantët tashmë presin notën e gjuhës angleze si dhe vijojnë konsultimet për provimin e radhës, atë të Matematikës më 16 qershor. (A2 Televizion)