Raporti SOCTA 2026, Lamallari: Krimi i organizuar po bëhet më i sofistikuar, duhet të parandalojmë

Nga A2 CNN
9 Qershor 2026, 17:05 | Aktualitet

Raporti SOCTA 2026, Lamallari: Krimi i organizuar po bëhet më i

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mori pjesë në prezantimin e raportit SOCTA 2026, dokumentit strategjik që analizon kërcënimet nga krimi i organizuar dhe krimet e rënda në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij, Lamallari theksoi se raporti paraqet një panoramë të qartë të mënyrës se si po evoluon kriminaliteti dhe ndihmon institucionet ligjzbatuese të ndërtojnë politika më efektive për luftën kundër tij.

“SOCTA nuk është thjesht një raport. Ai është pasqyra më e qartë e mënyrës se si evoluon kriminaliteti, e rreziqeve me të cilat përballemi sot dhe e sfidave që duhet të adresojmë nesër”, u shpreh Lamallari.

Sipas gjetjeve të raportit, grupet kriminale të organizuara mbeten kërcënimi kryesor për sigurinë, duke u bërë gjithnjë e më fleksibël, më të sofistikuar dhe më të aftë për të shfrytëzuar teknologjinë, financat dhe lidhjet ndërkombëtare për zhvillimin e aktiviteteve të tyre kriminale. Trafikimi i narkotikëve, korrupsioni, pastrimi i parave dhe migracioni i paligjshëm vazhdojnë të identifikohen si kërcënime serioze që kërkojnë reagim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim të gjerë institucional.

Ministri i Punëve të Brendshme vuri në dukje se raporti evidenton gjithashtu rritjen e rëndësisë së krimeve kibernetike, duke paralajmëruar se sulmet ndaj sistemeve dixhitale, mashtrimet online dhe përdorimi i teknologjive të avancuara nga grupet kriminale po krijojnë sfida të reja për institucionet ligjzbatuese.

Një tjetër element i rëndësishëm i SOCTA 2026 është identifikimi i krimeve mjedisore si një kërcënim në zhvillim, çka sipas Lamallarit tregon se koncepti i sigurisë është sot më i gjerë dhe lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e burimeve natyrore, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.

Duke folur për përgjigjen e institucioneve shqiptare ndaj këtyre sfidave, ministri theksoi se lufta kundër krimit duhet të mbështetet gjithnjë e më shumë te inteligjenca kriminale, analiza strategjike, shkëmbimi i informacionit dhe investimet në teknologji e kapacitete profesionale.

“Përballë një kriminaliteti që po ndryshon me shpejtësi, edhe reagimi ynë duhet të ndryshojë. Nuk mjafton më të jemi efektivë vetëm në hetimin e krimeve pasi ato kanë ndodhur; duhet të jemi më të aftë në parashikimin, parandalimin dhe goditjen e tyre në fazat e hershme”, deklaroi ai.

Lamallari rikonfirmoi angazhimin e Ministrisë së Brendshme për të mbështetur Policinë e Shtetit dhe të gjitha strukturat ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar, duke ndjekur një qasje të bazuar në analiza, rezultate konkrete dhe partneritet të ngushtë me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.

“SOCTA 2026 na jep një hartë të qartë të kërcënimeve. Tani përgjegjësia jonë është ta shndërrojmë këtë njohuri në veprim konkret, për të garantuar më shumë siguri, më shumë integritet institucional dhe më shumë besim për qytetarët shqiptarë”, përfundoi Lamallari.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha risi e këtij raporti është analiza e thelluar e krimeve mjedisore.

"Përmes metodologjisë së standardizuar të Europolit, ne kemi analizuar grupet kriminale, aktivitetet e tyre, faktorët lehtësues dhe dëmin që ato synojnë t’i shkaktojnë shoqërisë sonë. Ky proces na jep një avantazh të rëndësishëm,  të kuptojmë jo vetëm se ku ndodhet kërcënimi sot, por edhe si mund të evoluojë ai nesër. Një risi e rëndësishme e këtij raporti është analiza e thelluar e krimeve mjedisore. Këto fenomene, edhe pse shpesh më pak të dukshme se format tradicionale të kriminalitetit, përbëjnë një kërcënim në rritje për zhvillimin e qëndrueshëm, ekonominë dhe sigurinë afatgjatë të vendit", tha Hita. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos