Mjekja kardiologe Engjellushe Hasani foli në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN për efektet e temperaturave të larta në trupin e njeriut.
Ajo theksoi se efektet ndihen edhe nga njerëzit e shëndetshëm, pasi kur temperaturat janë të larta zemra duhet të punojë dy deri në katër herë më shumë se sa në kushte normale.
Efektet manifestohen në rritja të të rrahurave, çrregullim të ritmit, djersitje e tepërt.
“Temperaturat e larta sjellin efekte jo vetëm te njerëzit e sëmurë, por edhe të shëndetshëm. Ndonjëherë temeperaturat janë aq të rrezikshme sa bëhen emergjencë mjekësore. Kur kemi temperatura shumë të larta zemra duhet të punojë dy deri në 4 herë më shumë se sa në kushte të tjera optimale. Temperaturat e larta bëjnë që qarkullimi të përqendrohet në lëkurë, duke zgjeruar enët e gjakut dhe shkakton rritje të të rrahurave të zemrës, ndonjëherë çrregullim të ritmit dhe djersitje të tepërt. Kjo djersitje e tepërt jo gjithmonë është shpëtim për trupin e njeriut, sepse kur ambienti është i lagësht, bën që organet e tij të punojnë më tepër se sa në kushtet optimale. Zemra vuan, shfaqet me takikardi, rrahje të shpeshta, drobitje të njeriut dhe lodhje të përgjithshme. Ata që hasin shenja të tilla duhet t’i drejtohen mjekut të familjes për të parë nëse ka ndonjë organ që duhet ta ndjekë më tej te specialist”. (A2 Televizion)