“19 protestues do të qëndrojnë 3 ditë në paraburgim”, gazetarja përcjell detajet e fundit nga shoqërimi i protestuesve

Nga A2 CNN
3 Korrik 2026, 08:00 | Aktualitet

Nëntëmbëdhjetë protestuesit e shoqëruar pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së djeshme para Kuvendit do të qëndrojnë për tri ditë në paraburgim. Kështu bëri të ditur në Dita Jonë në A2 CNN gazetarja Adelina Onuzi, sipas të cilës të gjithë të ndaluarit janë transferuar nga Komisariati nr. 3 drejt ambienteve të paraburgimit, ku do të qëndrojnë për tre ditë.

“Ajo çfarë kam mundur të mësoj të paktën edhe nga punonjësit e policisë po thonin që në komisariatin numër tre nuk ndodhen të shoqëruarit duke qenë se ata kanë pasur një afat prej pesë orësh për të qëndruar atje, më pas kanë kaluar në paraburgim. Atje janë 19 persona që janë të shoqëruar dhe tashmë janë në paraburgim dhe nga ana tjetër sipas informacioneve të deritanishme thuhet që do të qëndrojnë për tri ditë radhazi”, tha gazetarja e A2 CNN në Dita Jonë.

E pyetur nëse për ndonjë prej protestuesve mund të ketë procedurë tjetër, gazetarja sqaroi:

“Deri më tani nga informacionet që punonjës të shërbimit të policisë më dhanë, janë 19 të shoqëruar që janë në paraburgim dhe nga ana tjetër janë tri ditë për secilin. Se si do vijojë do procedohet më vonë, nuk dihet. 19 që janë shoqëruar dhe që janë në paraburgim nga çdo vend në kryeqytet janë të ndodhur këtu. Kështu që për më tej do të kenë patjetër edhe lajmërime të tjera, por kjo ishte ajo çfarë u tha ditën e sotme nga informacionet që edhe punonjësit kishin”, bëri të ditur gazetarja e A2 CNN.

Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme pranë ambienteve ku mbahen të ndaluarit u mblodhën protestues të tjerë, të cilët kërkuan lirimin e tyre, duke brohoritur slogane si: "Lironi çunat" dhe "Polici e krimit". Sipas raportimeve, protestuesit vijuan itinerarin e zakonshëm të ditëve të fundit, duke u grumbulluar fillimisht në Sheshin Skënderbej, më pas përpara Kryeministrisë dhe duke marshuar drejt institucioneve të tjera.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos