“Rihapje e plotë e Ngushticës së Hormuzit”, Trump konfirmon lajmin e madh: Paqja me Iranin firmoset sot

Nga Xhevahir Qardaku
14 Qershor 2026, 09:11 | Bota

Sot është dita e firmës për paqe… Pas muajsh përshkallëzimi ushtarak dhe përplasjesh të rrezikshme në Lindjen e Mesme, Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se marrëveshja për t’i dhënë fund luftimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të nënshkruhet të dielën. Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump deklaroi se sapo marrëveshja të firmoset, Ngushtica e Hormuzit, një nga korridoret më strategjike të transportit të naftës dhe gazit në botë, do të jetë “e hapur për të gjithë”.

Trump bëri edhe një deklaratë të fortë lidhur me programin bërthamor iranian. Duke iu referuar rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit, ai tha se “në momentin e duhur, kur gjithçka të jetë qetësuar, ne do të shkojmë dhe do të marrim ‘pluhurin bërthamor’, i cili më pas do të shkatërrohet”.

Megjithatë, nga Teherani kanë ardhur sinjale më të kujdesshme. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi se ende nuk mund të konfirmohet data e saktë e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit. “Duhet të presim dhe të shohim datën e saktë të nënshkrimit. Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë nesër”, u shpreh ai, duke hedhur dyshime mbi afatin e shpallur nga Trump.

Një rol kyç në negociata duket se po luan Pakistani. Kryeministri Shehbaz Sharif deklaroi se palët janë “më pranë paqes se kurrë më parë” dhe se marrëveshja pritet të finalizohet brenda 24 orëve.

Sipas tij, Islamabadi po përgatitet për një nënshkrim elektronik të dokumentit, ndërsa javën e ardhshme pritet të zhvillohen bisedime teknike për zbatimin e tij. Edhe ministri i Jashtëm iranian, Seyed Abbas Araghchi, ka konfirmuar se një marrëveshje është afër. Ai bëri të ditur se pakti parashikon jo vetëm uljen e tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit, por edhe përfundimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.

Ndërkohë, Forcat e Armatosura të Iranit, Trupat e Gardës Revolucionare Islamike, mohuan se Irani do të nënshkruajë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara sot dhe kritikuan “këmbënguljen e pazakontë” të Presidentit Donald Trump për nënshkrimin e marrëveshjes po atë ditë, raportoi CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos