
Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 31 persona pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e së dielës përpara Kryeministrisë, e cila shënoi ditën e 29-të të tubimeve.
Sipas njoftimit zyrtar, të proceduarit dyshohen për veprat penale "Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme", "Prishja e qetësisë publike" dhe "Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit".
"Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me tubimin e zhvilluar në Tiranë, strukturat e Policisë së Tiranës proceduan penalisht 31 shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale 'Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme', 'Prishja e qetësisë publike' dhe 'Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit'", thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi masat që do të ndiqen ndaj personave të proceduar, ndërsa hetimet lidhur me protestën vijojnë. (A2 Televizion)