Vala rekord e të nxehtit që ka përfshirë Evropën prej më shumë se një jave ka mbërritur tashmë edhe në Ballkan, duke nxitur alarmin për zjarre e duke shkaktuar probleme të shumta në vendet e rajonit.
Përveç Shqipërisë që është mbërthyer nga temepratura ekstreme, edhe autoritetet kroate kanë shpallur alarmin e kuq në Zagreb, Split dhe Dubrovnik.
Në ishullin turistik të Visit, dhjetëra zjarrfikës, të mbështetur nga katër avionë, po luftojnë një zjarr të madh që ka përfshirë pyjet me pisha, shkruan A2.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, zjarrfikësit kanë arritur të vënë kryesisht nën kontroll zjarrin që për disa ditë përfshiu një landfill pranë qytetit të Mostarit. Flakët prodhuan sasi të mëdha tymi toksik, duke ndotur ajrin në zonat përreth dhe duke shqetësuar banorët.
Edhe Kosova po përballet me temperatura të larta me autoritetet që u kanë bërë thirrje të moshuarve, fëmijëve dhe personave me probleme shëndetësore të shmangin daljet gjatë orëve më të nxehta të ditës.
E njëjta situatë në Serbi, ku e mërkura i afrohet 40 gradëve. Shkencëtarët e konsiderojnë këtë si valën më të rëndë të të nxehtit të regjistruar ndonjëherë në Evropë. Temperaturat ekstreme kanë rënduar sistemet shëndetësore, kanë shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike dhe kanë dëmtuar infrastrukturën në disa vende.
Në Francë, autoritetet raportojnë rreth një mijë vdekje të lidhura me temperaturat e larta, ku shumica e viktimave janë të moshuar. OBSH tha të dielën se 1300 vdekje të shënuar që prej 21 qershorit janë të lidhur me vapën që ka mbërthyer Europën.
Sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor kanë bërë që temperatura kaq të larta, veçanërisht gjatë natës, të jenë shumë më të mundshme se sa dy dekada më parë. Meteorologët paralajmërojnë se një valë e re e të nxehtit pritet të godasë sërish Evropën Perëndimore në ditët e para të korrikut, duke mbajtur të lartë rrezikun për zjarre dhe emergjenca të tjera të lidhura me motin ekstrem. (A2 Televizion)