
Policia gjermane ka vrarë 21-vjeçarin Abdul Rahman Tufik Balut, të dyshuar si autor i sulmit terrorist gjatë paradës Pride në Berlin, pasi ai sulmoi me thikë efektivët që po tentonin ta arrestonin.
Operacioni u zhvillua nga njësia speciale SEK në një magazinë në zonën e Spandau, në periferi të Berlinit. Sipas autoriteteve, gjatë ndërhyrjes 21-vjeçari kundërshtoi arrestimin dhe u hodh drejt policëve me thikë, duke i detyruar ata të hapnin zjarr. Si pasojë e plagëve të marra, ai humbi jetën në vend.
Balut dyshohet se ishte autori i sulmit me furgon ndaj turmës gjatë aktivitetit Pride në Berlin, ku humbi jetën një grua dhe mbi 25 persona mbetën të plagosur.
Ministri Federal i Brendshëm e cilësoi ngjarjen si një sulm terrorist me motive islamiste, duke bërë të ditur se 21-vjeçari ishte i njohur për autoritetet për precedentë penalë dhe lidhje me qarqe ekstremiste.
Sipas mediave gjermane, i riu kishte kaluar më herët në institucionet e vuajtjes së dënimit për të mitur dhe konsiderohej mbështetës i organizatës terroriste Shteti Islamik. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e sulmit dhe lidhjet e tij të mundshme me grupe ekstremiste. (A2 Televizion)