
Franca po përballet me një nga valët më të rënda të zjarreve pyjore të dekadave të fundit, ndërsa flakët pranë qytetit të Bordeaux vazhdojnë të përhapen, duke detyruar autoritetet të evakuojnë mbi 220 mijë banorë në jugperëndim të vendit.
Sipas autoriteteve franceze, vetëm gjatë natës së fundit rreth 55 mijë persona u larguan nga fshatrat në jug të Bordeaux, në rajonin e Gironde, ku zjarri ndodhet rreth 15 kilometra nga periferia e qytetit. Kryebashkiaku Thomas Cazenave deklaroi se aktualisht nuk ka plane për evakuimin e Bordeaux, por situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, përcjell A2CNN.
Deri më tani, flakët kanë shkrumbuar rreth 42 mijë hektarë pyje në rajonin e Gironde, ndërsa në të gjithë Francën janë djegur afro 98 mijë hektarë që nga fillimi i vitit. Autoritetet e cilësojnë këtë si një nga zjarret më të mëdha pyjore që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar rreth 2,500 zjarrfikës, përfshirë edhe një ekip nga Zvicra, si dhe 1,500 ushtarakë dhe afro 1,200 efektivë policie e xhandarmërie, të cilët po ndihmojnë në evakuimin e banorëve dhe sigurimin e zonave të rrezikuara.
Kapiteni Nicolas Braz, një nga drejtuesit e operacionit, tha se zjarri ka krijuar "erërat e veta", duke e bërë përhapjen e flakëve të paparashikueshme dhe jashtëzakonisht të vështirë për t'u kontrolluar. Ndërsa ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, deklaroi se situata mbetet "shumë e pafavorshme", pasi zjarri po lëviz në mënyrë të çrregullt drejt zonës metropolitane të Bordeaux.
Për shkak të situatës, është mbyllur një segment prej 60 kilometrash i autostradës A63, që lidh Francën me Spanjën. Gjithashtu, Aeroporti i Bordeaux ka raportuar vonesa dhe anulime të shumta fluturimesh, pasi kufizimet në trafikun ajror janë vendosur për t'i dhënë përparësi operacioneve të emergjencës.
Ndikimi i zjarreve është reflektuar edhe në ngjarjet sportive, pasi etapa e fundit e Turit të Francës është shkurtuar për të lejuar angazhimin e forcave të sigurisë në operacionet e shuarjes së flakëve.
Presidenti francez Emmanuel Macron u zotua se shteti do të mbështesë zonat e prekura dhe se Franca do të rindërtojë gjithçka që është dëmtuar nga kjo katastrofë natyrore. (A2 Televizion)