
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan zgjodhi një dhuratë të pazakontë për liderët e NATO-s në përfundim të samitit në Ankara: nga një revolver të personalizuar me emrin e secilit prej tyre.
Mes atyre që morën dhuratën ishte edhe kryeministri Edi Rama. Bëhet fjalë për revolverin e prodhimit turk Sarsılmaz SR 38, një armë me tambur me kapacitet gjashtë fishekë, e aftë të përdorë municion .357 Magnum dhe .38 Special. Revolveri ka mekanizëm me veprim të dyfishtë dhe është ndërtuar prej çeliku të farkëtuar.
Megjithatë, kjo dhuratë krijoi ngatërresa ligjore për disa. Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, deklaroi se u detyrua ta çaktivizonte armën dhe ta linte në Ankara, pasi ligjet e rrepta britanike ndalonin futjen e saj në avionin qeveritar. Ky gjest ndryshon plotësisht nga tradita e samiteve të kaluara, ku dhuratat kanë qenë më konvencionale, si vodka me mjaltë dhe çokollata në Poloni (2016), ose uiski, waffles dhe çorape leshi në Uells (2014).
Një pyetje mbetet ende pa përgjigje: a e ka marrë Edi Rama revolverin e personalizuar me vete në Tiranë, apo arma e tij ka mbetur në Turqi?
Pavarësisht dhuratave, samiti dyditor u shoqërua me tensione. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, hapi fjalimin e tij përmbyllës me lëvdata të shumta për Erdoganin, duke e quajtur atë një "njeri të madh, lider të shkëlqyer dhe mik". Trump lavdëroi "unitetin e jashtëzakonshëm" mes liderëve, ndonëse vetëm pak orë më parë kishte shkaktuar kaos duke kërkuar që SHBA të ndërpriste marrëdhëniet tregtare me Spanjën, të cilën e quajti një "partner të tmerrshëm" për shkak të mungesës së mbështetjes në luftën kundër Iranit.
Në aspektin ushtarak, Trump premtoi fillimisht shitjen e avionëve luftarakë F-35 Turqisë, por më vonë u tërhoq pjesërisht pas kritikave të ashpra nga Greqia dhe Izraeli. Presidenti turk Erdogan u shpreh i kënaqur, duke i cilësuar bisedimet me Trump si mjaft frytdhënëse. (A2 Televizion)