Pamje të reja të siguruara ekskluzivisht nga CNN tregojnë dëme të mëdha në një seksion të aeroplanmbajtëses më të re dhe më të shtrenjtë të Amerikës, USS Gerald R. Ford. Krevatë të djegur. Tela që varen nga tavani. Metal i përdredhur dhe grumbuj hiri.
Kjo është ajo që mbeti pas një zjarri që përfshiu lavanderinë e anijes në muajin mars, gjatë misionit të saj në luftën kundër Iranit.
Hunter Stires, ish-strateg i Marinës Amerikane pranë Sekretarit të Marinës: “Zjarri dhe përmbytja janë dy rreziqet më të mëdha në bord të çdo anijeje”.
Dëmet rezultojnë të kenë qenë shumë më të rënda sesa sugjeroi fillimisht Marina Amerikane, e cila në atë kohë deklaroi se zjarri ishte “vënë nën kontroll” dhe se dy marinarë kishin pësuar lëndime që nuk rrezikonin jetën.
Një marinar në bord, i cili ndihmoi në shuarjen e flakëve, i tha CNN-së: “Mendova seriozisht se do ta humbnim anijen”. Sipas tij, gjatë luftës me zjarrin mendimi i ekuipazhit ishte: “Ose lufton, ose vdes”.
I njëjti marinar, si edhe një zyrtar i lartë amerikan i njohur me incidentin, i thanë CNN-së se sistemi i kontrollit dhe shuarjes së zjarrit në anije nuk u aktivizua, duke detyruar marinarët të vepronin me urgjencë për të përballuar situatën.
Hunter Stires: “Nëse sistemi i shuarjes së zjarrit dështon, kjo e bën shumë më të vështirë fikjen e flakëve. Në fund të fundit gjithçka varet nga njerëzit. Varet nga marinarët tanë dhe nga përgatitja e tyre”.
Ekuipazhit të USS Gerald R. Ford iu deshën rreth 30 orë për ta shuar zjarrin, ndërsa rreth 600 marinarë humbën vendet e tyre të fjetjes si pasojë e dëmeve. pyetur për përmasat e zjarrit dhe për dështimin e sistemit të sigurisë kundër flakëve, një zëdhënës i Marinës i tha CNN-së: “Hetimi për zjarrin është ende në vazhdim”.
CNN bisedoi edhe me shefin e operacioneve detare kur aeroplanmbajtësja u kthye në port në muajin maj.
Admirali Daryl Caudle, Shef i Operacioneve Detare: “Zjarret e mëdha janë gjithmonë një sfidë dhe ky ishte një zjarr i konsiderueshëm që nisi në zonën e lavanderisë dhe tharëseve. Ekuipazhi e menaxhoi jashtëzakonisht mirë situatën, luftoi me profesionalizëm dhe guxim, dhe anija ishte sërish gati për mision brenda pak ditësh”.
Por zjarri nuk ishte problemi i vetëm në bordin e aeroplanmbajtëses me vlerë 13 miliardë dollarë.
Sipas marinarit që foli për CNN, tualetet e anijes bllokoheshin vazhdimisht. Pamje të tjera të siguruara nga CNN tregojnë tualete të mbushura deri në buzë me mbetje njerëzore.
Marinari tha: “Nëse ndodheshe në pjesën e përparme të anijes, duhej të ecje deri në pjesën e pasme vetëm për të gjetur një tualet që funksiononte”.
Admirali Daryl Caudle: “Sistemet sanitare në çdo anije, nëndetëse, destrojer, kryqëzor apo aeroplanmbajtëse përballen me sfida. Çështja nuk është nëse do të ndodhë, por kur ndodh, si e trajtojmë, si e riparojmë dhe si e rikthejmë në funksion. Ekipi në bordin e Ford është shumë i aftë në këtë drejtim”. (A2 Televizion)