Presidenti serb Aleksandar Vuçiç provokon Kosovën në sytë e ndërkombëtarëve. “Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e saj”, u shpreh ai në samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat.
Duke komentuar nismën në Mal të Zi për tërheqjen e njohjes së Kosovës, Vuçiç shprehu mbështetje për autorët e saj dhe tha se Serbia e kishte përjetuar me vështirësi vendimin e Podgoricës për njohjen e Kosovës.
Ai theksoi se respekton vendimet e Malit të Zi, por përsëriti qëndrimin e Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës, shkruan A2 CNN. Deklaratat e tij vijnë në një periudhë tensionesh të vazhdueshme mes Prishtinës dhe Beogradit.
Nisma për anulimin simbolik të njohjes së Kosovës është miratuar së fundmi nga Kuvendi Komunal i Zetës në Mal të Zi. Por nuk pritet që të shqyrtohet në organet e larta vendimmarrëse shtetërore si parlamenti, qeveria apo presidenca. (A2 Televizion)