
Për herë të parë në histori, Botërori do të luhet me 48 skuadra. Ndeshjet do të zhvillohen në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Shtetet e Bashkuara do të kenë 11 stadiume pritëse, Meksika 3 dhe Kanadaja 2. Sipas rregullit, vendet pritëse, janë të kualifikuara automatikisht. Duhet të theksojmë se ky nuk është Botërori i parë që ndahet në disa vende pritëse, pasi nëse kthehemi vite pas, në 2002, Kupa e Botës u organizua në Korenë e Jugut dhe Japoni, shkruan A2 CNN.
Do të jetë hera e parë për Kanadanë, e dyta për SHBA dhe e treta për Meksikën. Në total janë 104 ndeshje, me finalen që do të luhet në Nju Jork, në stadiumin e Nju Xhersit.
Turneu nis më 11 qershor dhe mbyllet më 19 korrik me finalen e madhe. Duke qenë se këtë vit ka 48 ekipe, formati me tetë grupe, është zëvendësuar me nga 12 grupe me katër skuadra. Dy skuadrat e para në secilin grup, plus tetë skuadrat më të mira të vendit të tretë, do të kalojnë në raundin e 32-të. Formati i ri do të thotë se kombëtarja që triumfon në finalen e 19 korrikut do të luajë tetë ndeshje për t’u kurorëzuar kampione, një më shumë se në botërorin e Katarit 2022.
Kampione në fuqi është Argjentina, falë asaj fitores emocionuese ndaj Francës, në finalen e Katarit 2022. Përveç vendeve organizuese, 45 vendet e tjera janë të ndara në kontinente të ndryshme, Europa që ka 16 kombëtare, Afrika me 9 kombëtare, Azia 8 dhe Amerika e Veriut dhe Latinë nga 6 kombëtare, si edhe një nga Oqeania. Ky botëror nis me shumë surpriza pasi Italia për të tretin edicion radhazi nuk do të jetë pjesë e Botërorit.
Edhe pse fillimisht u propozua që Italia të zëvendësojë Iranin në Kupën e Botës, diçka e tillë nuk u pranua kurrsesi nga të kaltrit me autoritetet italiane që e kanë cilësuar idenë si të papranueshme dhe kundër frymës së sportit. Pavarësisht tentativave, një gjë është e sigurt tani, Italia për të tretin edicion radhazi, do të qëndrojë jashtë Kupës së Botës. (A2 Televizion)