
Një nga temat më të diskutuara të Kupës së Botës 2026 nuk ka qenë vetëm futbolli, por edhe çmimet e biletave. Sipas FIFA-s, çmimet zyrtare për ndeshjet e fazës së grupeve nisën nga rreth 60 dollarë, ndërsa për finalen e madhe arritën deri në afro 8 mijë dollarë, shkruan A2 CNN.
Megjithatë, në tregun e rishitjes shifrat janë edhe më të larta. Për disa nga ndeshjet më të kërkuara, tifozët kanë paguar mbi 1 mijë dollarë vetëm për një vend në tribunat e stadiumit. Ndërsa biletat e finales në New York-New Jersey janë shitur në disa raste për më shumë se 15 mijë dollarë.
Reuters raportoi se çmimet e larta kanë shkaktuar pakënaqësi te tifozët dhe madje kanë sjellë edhe vende bosh në disa ndeshje të fazës së grupeve, pavarësisht interesit të madh për turneun. FIFA ka mbrojtur politikën e saj të çmimeve, duke argumentuar se kërkesa për bileta ka qenë jashtëzakonisht e lartë.
Një kuriozitet interesant vjen nga ndeshja Kepi i Gjelbër–Arabia Saudite. Pas barazimit historik të Kepit të Gjelbër ndaj Spanjës, çmimi i biletave u rrit me mbi 150 për qind brenda pak orësh, duke e kthyer një nga ndeshjet më të lira të turneut në një nga më të kërkuarat. (A2 Televizion)