
Kombet e Bashkuara kanë ngritur një "alarm të kuq" për situatën në qytetin El-Obeid të Sudanit, duke paralajmëruar se aty po zhvillohet një tjetër katastrofë e të drejtave të njeriut për shkak të frikës nga një ofensivë e afërt e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).
Duke folur në një seancë urgjente të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë, Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, u bëri thirrje liderëve botërorë të ndërhyjnë menjëherë për të parandaluar krime të reja ndaj civilëve.
"Shenjat nga El-Obeid janë të qarta dhe të pagabueshme. Kjo nuk është një stërvitje, por një alarm i kuq që duhet të dëgjohet nga qeveritë në mbarë botën", deklaroi Türk.
Sipas tij, civilët në El-Obeid kanë jetuar për rreth 18 muaj nën kushte të ngjashme me rrethimin, ndërsa përballen me sulme të vazhdueshme me dronë dhe luftime mes ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake RSF për kontrollin e zonës, shkruan A2CNN.
El-Obeid, kryeqyteti i shtetit të Kordofanit të Veriut, ka rëndësi strategjike pasi lidh rajonin e Darfurit, të kontrolluar pjesërisht nga RSF, me zonat lindore të kontrolluara nga ushtria. Qyteti me rreth 500 mijë banorë strehon gjithashtu afro 100 mijë persona të zhvendosur nga lufta.
Sulmet e fundit kanë dëmtuar termocentralin kryesor dhe depot e karburantit, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, mungesë të ujit të pijshëm dhe përkeqësim të krizës humanitare. Sipas OKB-së, mes 6 dhe 28 qershorit, të paktën 45 persona janë vrarë dhe 41 të tjerë janë plagosur nga sulmet me dronë në El-Obeid dhe zonat përreth. (A2 Televizion)