Fryma fashiste është fryma që thotë: “Shqipëria është e shqiptarëve”, pra, të gjithë të tjerët jashtë nuk janë të mirëseardhur. Shënimet e javës, që Kryeministri Rama ndan me ndjekësit e tij çdo të diel, ishin kryesisht të fokusuara te protestat e fundit qytetare, që kërkojnë largimin e tij, për të krijuar një qeveri teknike.
Me shqetësim, thotë se shikon krijimin e një fryme që e quan fashiste, ku çdokush që mendon ndryshe nga protestuesit sulmohet dhe bullizohet.
Rama tha se është e patolerueshme që një grup njerëzish, që një forcë njerëzish, që një parti apo një konglomeratë partish, apo që nuk e di, quani si të doni, t'i imponohet pjesës tjetër, duke i thënë që: “O do mendosh kështu si unë, o unë do të sakatoj, do të të bullizoj, do të të kërcënoj”. Kjo është fashiste, është skandaloze dhe kjo duhet ndalur. Dhe kjo ndalet duke mos u tërhequr përpara këtyre lloj presioneve dhe përpara këtyre lloj hajvanëve. Kjo duhet ndalur!
Si shembull konkret merr koncertin e Ylli Limanit në Tiranë.
“Kam parë me shumë keqardhje se si një këngëtar si Ylli Limani, një këngëtar i dashur për një masë njerëzish, - nuk është këngëtari im i preferuar, unë i përkas një brezi tjetër dhe jetoj me të tjera dëshira që lidhen me muzikën, por është një këngëtar shumë i respektuar, shumë i preferuar, që ka bërë një koncert të jashtëzakonshëm në Tiranë, - e kanë “masakruar” me sharje, me presione, me kërcënime për të anuluar koncertin”.
Me shqetësim, Kryeministri tha se shikon impaktin që këto protesta po shkaktojnë në sektorin e turizmit, ku po vihen re anulimet e prenotimeve. Foli për skenarë të mundshëm të protestës, duke ndarë analizën e tij. Vëmendjen ndërkombëtare të protestës, e shpjegon me emrin e Donald Trump. Vetë krijimi i një proteste qytetare, sipas Ramës, tregon shëndetin demokratik të vendit.
Socialistëve u tha se nuk ka simbolikë më të fortë që 35-vjetori i partisë i gjen në pikën më të avancuar të rrugës europiane. (A2 Televizion)