“SPAK ka marrë zemër nga protestat”, Gjyli: Largimi i Neomalësores është mesazh për Ramën

Nga A2 CNN
16 Qershor 2026, 21:11 | Politikë

Pedagogia Arsejda Gjyli mendon që protestat qytetare i kanë dhënë efektet e tyre, duke i dhënë më shumë zemër SPAK-ut në hetime, si dhe duke sjellë reflektime të tilla si ai i ‘Neomalësores’, e cila u largua nga grupi parlamentar socialist.

Sipas pedagoges, ky akt ka çuar një mesazh edhe për kryeministrin Edi Rama, që të shikohet më mirë përzgjedhja që bëhet për përfaqësuesit.

Gjyli vuri në dukje se efektet e lartpërmendura janë pjesë e skenarit realist të arritjeve të protestës, dhe jo revolucioni apo kërkesa të tjera që artikulohen nga protestuesit.

Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Gjyli shprehet: “Ajo që do të ishte më e realizueshme është presioni i vazhdueshëm për të çuar përpara reformat, SPAK-un me drejtësinë e re, për të kërkuar një proces që është shumë i drejtë, dhe këtu jemi te pika që refleksioni duhet të vijë nga partitë e mëdha politike dhe është shumë organik dhe i drejtë, që protesta e ka prodhuar dhe do ta prodhojë që partitë e mëdha të reflektojnë, që duhet një lloj rotacioni, të vijnë edhe të rinjtë, të kenë një proces demokratik të brendshëm. I ka dhënë efektet pozitive protesta. Për ligjet që janë propozuar, propozimet e BE, tashmë edhe SPAK-u ka marrë zemër. Partitë e mëdha do reflektojnë. Nuk besoj se janë aq të trembur saqë Rama të dalë dhe të japë dorëheqjen. Akti i ndodhur brenda PS-së, me largimin e deputetes që lëshoi mandatin dhe tha që ky mandat s’është më i partisë, por i imi personal, kjo është shumë për të reflektuar. Çoi një mesazh....Brenda aty duhet të shikohet më mirë përzgjedhja që bëhet për përfaqësuesit, ku është i rëndësishëm besimi dhe konsistenca”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos