“Shqipëria s’ka qenë kurrë për shitje, e kam amanet të shenjtë”, Rama: Shqiptarët më dhanë mandat të çoj në BE

Nga A2 CNN
12 Qershor 2026, 19:06 | Politikë

“Shqipëria nuk ka qenë kurrë për shitje”. Kështu u shpreh kryeministri Rama, në fjalën e mbajtur në 35-vjetorin e Partisë Socialiste, ku deklaroi se misioni historik i socialistëve mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, pasi qytetarët i kanë besuar PS-së dhe atij drejtimin e vendit. Sipas tij flamuri kombëtar nuk mund të përdoret si simbol patriotizmi i rremë, ndërsa thekson se për të Shqipëria është amanet i shenjtë, për të cilën ndjehet krenar.

“Ky vend nuk ka qenë kurrë më një krijesë e kërrusur përpara askujt. Flamuri i ngritur në Vlorë nga plaku legjendar i pavarësisë nuk ka qenë më kurrë asnjë çarçaf patriotizmi të shtirur, asnjë tortë për t'u ofruar në vend të reformave shtetndërtuese. Por për ne, për mua, Shqipëria është një amanet i shenjtë në sytë, në mendjen dhe në zemrën time. Prandaj jam krenar sot në këtë përvjetor përballë të gjithëve ju, qoftë përballë atyre që më besuan kur mora drejtimin e kësaj partie të madhe, qoftë përballë atyre që ishin në të drejtën e tyre të mos më besonin si njeriun e duhur në krye të kësaj familje politike dhe qoftë përballë atyre që kishin të drejtën e tyre të më luftonin. si njerëz të së njëjtës familje. Jam krenar edhe përball atyre që mungojnë sot, sepse nuk janë më mes nesh”.

Rama pranoi se gjatë viteve të qeverisjes ka bërë edhe gabime, por se i ka dhënë Partisë Socialiste gjithçka nga vetja dhe se është krenar që, sipas tij, PS-ja ka ngritur prestigjin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Nuk krenohem përpara jush dhe çdo anëtari të familjes sonë se kam bërë gjithçka mirë, se kam qenë i pagabueshëm apo se nuk i kam hyrë në akt askujt. Jo, nuk e kam bërë gjithçka mirë. Kam gabuar jo njëherë dhe pse kurrë nuk kam dashur t'i hyj në hak askujt, ka shumë të ngjarë që ta kem bërë pa qëllim, ose ngaqë mund të kem bërë ndonjë vlerësim të gabuar, por unë krenohem sepse i kam dhënë dhe do t'i jap Partisë Socialiste pa kursim gjithçka që kërkohet nga një lider dhe së bashku me Partinë Socialiste, ja kemi ngritur kokën Shqipërisë dhe çdo shqiptari që sot kudo qoftë e thotë pa asnjë siklet; jam shqiptar dhe jam krenar se ne dhe askush tjetër do ta çojmë Shqipërinë në krah në majën ku dielli lind andej nga perëndon. Ata ndër ju që më njohin dhe që kanë punuar apo punojnë më afër me mua, e kuptojnë se çarë kam parasysh duke ju thënë që e di shumë më mirë sesa mund t'ju dukem disave se çfarë nuk shkon në këtë Shqipëri që kemi ndërtuar me kaq shumë mund deri këtu”, vijoi Rama.

Ai kujtoi liderin historik të socialistëve, Fatos Nano, duke e cilësuar vlerësimin e tij në vitet e fundit të jetës si një moment me rëndësi të veçantë personale dhe politike.

"Unë dua të veçoj liderin historik të socialistëve, Fatos Nano. Krenaria e shprehur publikisht e të cilit për mua si pasardhës i tij pikërisht në vitet e fundit të jetës, fatkeqësisht shkurtër dhe pasi marrëdhënia jonë kaloi në faza dramatike kryesisht për të, mbetet për mua një vlerësim i veçantë. Ashtu sikundër sot nuk mund të harroj këtu çdonjërin nga veteranët e luftës. Edhe ata nuk janë më me ne që i njoha në fillimet e këtij misioni që mu bënë krah i fortë edhe pse më pritën fillimisht me këmbët e para”, theksoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos