Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje protestuesve në bulevardin Dëshmorët e Kombit se është i hapur për diskutime me ta, por nuk do të negociojë për vizionin dhe programin qeverisës.
“Ejani të shikoni se kush jua ka thënë në mënyrë të përbindshme, të përsëritur që ne paskemi ndryshuar ligjin e zonave të mbrojtura për t'i hapur rrugë këtij zhvillimi, ju ka shaluar me një rrenë shumë të fortë që ju e keni marrë për kalë betejë dhe prandaj nuk bëni dot betejë me atë rrenë. Halli është se kur unë i them këto, përgjigja juaj është nuk ka negociata. Ndërkohë që unë nuk kam asnjë negociatë për të bërë me ju, sepse nuk negocioj dot as vizionin, as programin, as kontratën me ata që më kanë votuar, që bashkë me Partinë Socialiste ta çojmë në 35 miliardë euro prodhimin e përgjithshëm kombëtar të Shqipërisë në vitin 2030, që ta çojmë në 15.000 euro shifrën e të ardhura për frymë dhe që ta bëjmë Shqipërinë një princeshë të turizmit mesdhetar. Këto nuk negociohen gjithsesi për sa i takon kësaj teme, unë jam në dispozicion në çdo kohë ashtu si kundër jam i hapur për çdo diskutim. mbi mënyrën se si duhet të harmonizojmë mbrojtjen e natyrës dhe zhvillimin e turizmit”, u shpreh Rama.
Ai këmbënguli se nuk ka asnjë marrëveshje për shitjen apo dhënien me qira të ishullit të Sazanit, ndërsa u bëri thirrje protestuesve që të shohin faktet dhe dokumentet.
“Cilido që është i interesuar vërtetë për të mbrojtur interesin publik, që është i interesuar vërtet për mjedisin, biodiversitetin, të ardhmen e shpendëve në zonën ku do zhvillohet projekti i Zvërnecit apo në ishullin e Sazanit. I them se faktet që ne kemi në dispozicion duhet të jenë normalisht më se të mjaftueshme për të qetësuar shpirtin e kujtdo në këtë drejtim. Prandaj bujrum ejani t'i dëgjoni, ejani t'i shikoni dhe ejani t'i verifikoni vetë faktet. Ejani të merrni provat e nevojshme për t'u ndjerë jo vetëm të lehtësuar, por dhe krenar. Po. Po. Për t'u ndjerë krenarë. Për sesi institucionet tona e kanë përfaqësuar qoftë në lidhje me interesimin për Sazanin, qoftë në lidhje me procesin e aplikimeve dhe të reagimeve zyrtare ndaj tyre për zhvillimin e Zvërnecit. Eja të shikoni me sytë tuaj që nuk ka asnjë status investitori strategjik të dhënë për investimin më të madh privat në historinë e Shqipërisë. E shikoni duke dëgjuar me veshët tuaj, por dhe duke parë dokumentat se sipër Sazanit nuk ka asnjë marrëveshje ende sot që flasim, po ka vetëm një negociatë që zgjat prej shumë kohësh”, u shpreh Rama.
Në këto kushte ai u bëri apel protestuesve që të largohen nga hienat, siç i quajti ai, dhe të bashkohen me PS-në.
“Ikini hienave. Ikini hienave që ju janë mbledhur rrotull se juve jeni të parët që do mbyteni në jargët e asaj urrejtje që unë e njoh mirë, në jargët e asaj hipokrizie dhe të asaj urie për pushtet që unë dhe ne socialistët e njohim nga shumë larg, të cilën e fsheh nën qeleshet që i vënë në kokë për herë të parë apo nën flamujt që lidhin në qafë. Nëse doni të mbroni vërtetë Shqipërinë, ju njerëzit që jeni sinqerisht të dashuruar me natyrën, sinqerisht të shqetësuar për mjedisin, mos ngatërroni drejtimin nga i vjen rreziku natyrës, mjedisit dhe Shqipërisë. Po hajde bashkohuni me ne, me Partinë Socialiste e cila e cila ka nevojë ka shumë nevojë për këdo që nuk bie dakord me çfarë nuk shkon, por që është gati t'i luftojë bashkë me ne, gjërat për t'i bërë më mirë me ide, jo me britma, me propozime”.
(A2 Televizion)