Rama: Dorëheqja nuk do të jetë një opsion

Nga A2 CNN
2 Korrik 2026, 19:07 | Politikë

Rama: Dorëheqja nuk do të jetë një opsion

Ndërsa protestat në Shqipëri kanë hyrë në muajin e dytë të tyre, kryeministri Edi Rama thotë se “dorëheqja nuk është e mundur”.

I pyetur nga DW rreth kërkesës kryesore të protestuesve, Rama deklaroi se do të qëndrojë në detyrë. Kreu i qeverisë theksoi se dorëheqja nuk ka qenë dhe nuk do të jetë një opsion, pasi është mandatuar për të realizuar mbylljen e negociatave për anëtarësim në BE. 

"Nuk janë dy versione të kundërta. Unë kam ndarë në grupin parlamentar opinionet e mia dhe kam shprehur një ndjesi lidhur me faktin se unë jam zgjedhur dhe qëndroj në detyrë për t'i bërë gjërat, jo për t'u tërhequr zvarrë. Dhe ndërkohë, dorëheqja nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë opsion për një arsye shumë të thjeshtë: sepse unë jam mandatuar së bashku me Partinë Socialiste nga 868 mijë shqiptarë për të realizuar misionin e mbylljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Dhe ky është një mision historik që nuk mund të lihet në mes për asnjë arsye. Dhe për më tepër pastaj, për faktin se një pjesë e qytetarëve zgjedhin të protestojnë. Nga ana tjetër, protesta është diçka jashtëzakonisht kuptimplotë për Shqipërinë, për nivelin e lirisë, për nivelin e demokracisë dhe për faktin që në Shqipëri protestohet. Njerëz nga të gjitha rrugët e jetës dalin, kanë gjërat e tyre për të cilat dalin, ne kemi detyrën t'i dëgjojmë, kemi detyrën ta lexojmë çdo mesazh që ata na japin, dhe këtë po bëjmë", tha ndër të tjera Rama në intervistë.

Deklaratat e tij vijnë në një ditë kur protesta qytetare ka hyrë në ditën e 33-të, ndërkohë që paraditen e të enjtes u shënuan edhe përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos