Qiraxhi: Shqipëria e re nuk vjen me një parti, kjo është një lëvizje shoqërore

Nga A2 CNN
25 Qershor 2026, 20:44 | Politikë

Migen Qiraxhi, nga Qëndresa Qytetare, deklaroi se nga protesta qytetare duhet të dalë më shumë se një parti politike.

“Unë besoj që nëse nga kjo energji kaq e madhe do të lindte vetëm një parti politike, është si ajo shprehja, mali u mbars dhe polli një mi. Pra, unë mendoj që nga kjo lëvizje shoqërore duhet të lindë më shumë sesa një parti. Duhet ta shikojmë me një perspektivë shumë më të madhe se ajo që i kemi parë protestat në vitet ’90, ku arritja më e madhe e tyre ishte krijimi i një partie. Sot, në vitin 2026 nuk mundet që faza më e lartë e krijimit ose e zhvillimit të një proteste është të jetë sërish krijimi i një partie politike. Në demokraci logjikisht do duhet të kemi dy forca që garojnë në mënyrë të ndershme me njëra-tjetrën. Kështu që, pse jo të lindë më shumë se një parti, pse jo të lindin lëvizje studentore, pse jo media të reja, struktura, organizata shoqërore të reja. Kështu që, kjo protestë ose kjo energji është shumë e madhe për të lindur vetëm një gjë të vogël apo të pasurojë hapësirën politike të vendit nga 128 parti në 129 parti. Por, gjithsesi ne jemi vend i lirë. Shpresoj shumë që të ketë më shumë se kaq”, tha Qiraxhi në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Pranvera me një lule nuk vjen dhe Shqipëria e re me një parti nuk vjen. Ka nevojë për kontributin dhe mbajtjen e kryqit nga çdo strukturë e shoqërisë tonë. Rezultat i pëlqyeshëm për ne është kjo që po ndodh. Qytetari që reagon. Sot në Shqipëri nuk ka vetëm pozitë dhe opozitë, por ka edhe institucion të konsoliduar të qytetarit që ngrihet dhe reagon. Kjo protestë kam përshtypjen që nëse këtë radhë është reaktive kurdo që të ndodhë një tjetër, apo diçka tjetër në historinë e reagimit qytetar, do të jetë nukleare. Ky është një proces shumë i mirë edukimi për mënyrën e reagimit qytetar. Kjo na ka munguar. Ne nuk na ka munguar numri i partive. Ne na ka munguar presioni i qytetarëve që i ushtrojnë partive politike të vjetra, të reja apo ato që krijohen rishtas, për të mirëqeverisur. Dhe unë e shoh që kjo po ndodh dhe jam jashtëzakonisht shumë i lumtur që ky dimension që ne nuk e kemi pasur në pasqyrën e demokracisë është edhe në vendin tonë, ashtu siç ndodh edhe në vende të tjera europiane”, shtoi Qiraxhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos