
Projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë parashikon mbrojtje të veçantë ligjore për Guvernatorin dhe zëvendësguvernatorët. Ky projektligj përcakton se ata nuk mund të arrestohen, nuk mund të privohen nga liria, apo t'i nënshtrohen kontrollit personal dhe të banesës pa autorizimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas nenit 72 të projektligjit, përjashtim bëhet vetëm në rastet kur Guvernatori ose zëvendësguvernatorët kapen në flagrancë ose ndiqen menjëherë pas kryerjes së një vepre penale.
Në të gjitha rastet e tjera, prokurori i çështjes duhet t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të marrë autorizimin për arrestimin ose kontrollin. Gjykata duhet të shprehet brenda dy javëve nga paraqitja e kërkesës.
Projektligji përcakton gjithashtu se, nëse Gjykata Kushtetuese nuk merr një vendim brenda këtij afati, kërkesa për autorizim konsiderohet e refuzuar.
“Neni 72
Dispozita të veçanta për administratorët
1. Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen ose të privohen nga liria në ndonjë formë, as t'i nënshtrohen kontrollit personal apo të banesës, pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, përveç rasteve kur kapen në flagrancë ose ndërsa janë në ndjekje menjëherë pas kryerjes së një krimi.
2. Me përjashtim të rastit të specifikuar në pikën 1 të këtij neni, prokurori i çështjes duhet të kërkojë menjëherë autorizimin e Gjykatës Kushtetuese përpara se të kryejë arrestimin, kontrollin personal ose të banesës së Guvernatorit dhe Zëvendësguvernatorëve. Gjykata Kushtetuese merr vendim për autorizimin brenda dy javëve nga data kur i paraqitet çështja. Në rast se Gjykata Kushtetuese nuk vendos brenda këtij afati kohor, kërkesa për autorizim konsiderohet e refuzuar”, thuhet në nenin 72 të projektligjit për Bankën e Shqipërisë.
(A2 Televizion)