
Kryeministri Edi Rama prezantoi sot para ministrave dhe deputetëve të PS një dokument të titulluar “Besa”, që sipas tij do të jetë metoda për ta kthyer ciklin e ri politik të "Rilindjes 2.0" në një përvojë të re për qytetarët.
Kreu i qeverisë theksoi se nuk ka asnjë betejë me flamingot, por vetëm aleancë, duke bërë dallimin mes tyre dhe atyre që i konsideroi si sorra, të cilët sipas tij duan një Shqipëri të përçarë.
“Nga këto mësime të bulevardit të flamingove lindi edhe ky dokumenti që kam sot këtu. E kam titulluar me një emër shumë të vjetër dhe shumë të madh, ‘Besa’. E di që ky emër do hapë debat, por e zgjodha edhe pse ha debat. Asnjë fjalë tjetër s’gjeta që ta thotë më qartë çfarë kthese i duhet mandatit të katërt, që njerëzit të mos ndihen të padëgjuar, të painformuar, të papërfilluar. Bashkë me dokumentin strategjik ‘Besa’, kam shkruar edhe një aneks për mënyrën si PS duhet ta mbështesë kthesën e domosdoshme. Ne s’kemi asnjë luftë për të bërë me flamingot, por kemi vetëm një aleancë për të ndërtuar me shumë durim me ta. Beteja s’është mes qeverisë dhe qytetarit që kërkon më shumë, është mes atyre që duan një Shqipëri më të drejtë, më të besueshme, më europiane, në përvojën, në përjetimin e individit të zakonshëm në raport me shtetin, dhe atyre që e kanë të domosdoshme një Shqipëri të zemëruar, të përçarë, pa besim te shteti dhe rregullat demokratike. I patë edhe dje të grupuar si një grup i vogël sorrash te Parlamenti. Flamingot do të kthehen, Rilindja 2.0 është emri që i vumë ciklit të ri politik, ‘Besa’ është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët”, tha Rama. (A2 Televizion)