
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur rreth orës 10:00 në Pallatin e Brigadave, ku kreu i qeverisë ka mbledhur grupin parlamentar të PS dhe kabinetin qeveritar.
Tre pika janë parashikuar në rendin e ditës. Punimet do t'i hapë kreu i Kuvendit Niko Peleshi, i cili do të bëjë një bilanc të drejtimit të institucionit dhe do të flasë për futjen e teknologjisë dhe perspektivën e godinës së re.
Rikthehet ideja që Parlamenti të ketë godinë të re, ku komisionet dhe seancat të zhvillohen në një vend. Më pas do të jetë Taulant Balla që do të bëjë një bilanc të grupit parlamentar. Fokusi do jetë te aktivizimi i deputetëve, jo vetëm në komisione, por edhe online.
Pika e tretë e rendit të ditës, do të jetë ajo e kryeministrit Rama që do të mbajë fjalën përmbyllëse të vitit të pare të mandatit të katërt.
Dje Rama publikoi një pjesë të fjalimit, që pritet të mbajë sot në mbledhje, ku u paralajmërua edhe një reflektim për të ashtuquajturin "Revolucioni i Flamingove".
"Mbledhja fillon në 09:30, por do ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove, ai që ishte se ky që ka mbet është i sorrave dhe i korbave”, tha Rama. (A2 Televizion)