Në përfundim të misionit treditor në Shqipëri, deputetët përfaqësues të të Gjelbërve në Parlamentin Europian ndanë me mediat gjetjet e tyre nga takimet me palët dhe konstatimet në terren, në zonën e Nartës. Në Tiranë janë kthyer të shqetësuar.
“Ndërtimet e planifikuara në këtë zonë të brishtë janë një kërcënim i madh. Është vërtet e trishtueshme të shikojmë se sa dëm tashmë është bërë, me një rrugë prej disa kilometrash, pemë të prera, lidhjen mes detit dhe lagunës të ngushtuar dhe, si rrjedhojë, të bllokuar. Një drenazh i ligatinave tashmë po kryhet. Prandaj, planet dhe dëmi i shkaktuar përbëjnë shkelje të hapur të direktivave të BE-së për zogjtë dhe habitatet. E kuptoj pse kaq shumë qytetarë vazhdojnë të dalin në rrugë”, tha Tineke Strik, eurodeputete, shefe e misionit, përcjell A2 CNN.
Të pakënaqur u shprehën edhe nga takimi me ministrin e Mjedisit, të cilin e përkufizuan me shprehjen: “Ramë dakord për të mos rënë dakord”.
“Si mund të vlerësosh nëse është e ligjshme të ndërtosh, duke ndërtuar paraprakisht? Në këtë pikë nuk ramë dakord. Ai tha se do të ketë një vlerësim të ndikimit dhe më pas konsultime publike për 20 ditë, një afat që e konsideroj shumë të shkurtër. Më pas, sipas tij, do të nevojitet edhe një muaj për marrjen e vendimeve. Por nuk morëm garanci se nuk do të ketë veprimtari të tjera në zonë. Ai nuk i mori parasysh shqetësimet tona. Unë mbetem e shqetësuar se po planifikohet të vazhdohet në këtë mënyrë dhe të krijohen fakte në terren përpara se të negociohet ky element i Kapitullit 27”, tha ajo.
A2 CNN e pyeti eurodeputeten nëse priste diçka konkrete edhe nga Komisioni Europian, përveç autoriteteve shqiptare, në kushtet kur komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, është shprehur se gjithçka do të kalojë në lupën e negociatave të anëtarësimit.
“Jam në kontakt periodik me komisioneren dhe, pas këtij misioni, do ta takoj sërish për ta përditësuar mbi atë që kam parë dhe dëgjuar. Ajo është gjithashtu e shqetësuar se po shkaktohen dëme të mëtejshme përpara se të miratohen ligjet e reja dhe përpara se të negociohet ky kapitull specifik. Por Parlamenti Europian ka qenë shumë i qartë në këtë pikëpamje: duhet të ketë një moratorium, në mënyrë që të mos ketë veprimtari të mëtejshme nga ky moment e tutje. Patjetër që do ta diskutoj me zonjën Kos se si do të monitorohet kjo çështje, sepse nuk duhet të mbështetemi vetëm te besimi, por edhe të monitorojmë veprimtaritë konkrete në terren”, tha eurodeputetja.
Eurodeputetët kërkuan gjithashtu që Qeveria të respektojë shqetësimet e qytetarëve, ndërsa shprehën pritshmërinë që politika të mos pengojë punën e drejtësisë. (A2 Televizion)