
Teksa protestuesit ndodheshin para Kryeministrisë në ditën e 54-të të protestës, kryeministri Edi Rama ndodhej në katin e dytë të godinës, duke shkruar fjalimin që do të mbajë nesër në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar dhe Kabinetit Qeveritar.
Lajmin e ka ndarë vetë në rrjetet sociale kreu i qeverisë, përmes një videoje, në sfond të së cilës dëgjohet thirrja e protestuesve: "Rama jepe dorëheqjen", ndërsa ai njofton se në mbledhjen e nesërme do të ndajë edhe reflektimin e tij mbi bulevardin e flamingove, duke theksuar se ky që ka mbetur është i sorrave dhe i korbave.
“Përshëndetje, nuk e di a dëgjoni. Kjo është kënga ime e preferuar. Jam duke shkruar fjalën për nesër në mbledhjen e grupit parlamentar dhe të qeverisë dhe desha të ndaj me ju këtë moment, sepse ky kor Rama jepe dorëheqjen më “ekzalton”. Shihemi nesër paradite, nuk e di orën e saktë, mbledhja fillon në 09; 30, por do ishte kënaqësi të ndaja me ju të gjithë reflektimin tim mbi pasqyrën e bulevardit të flamingove, ai që ishte se ky që ka mbet është i sorrave dhe i korbave”, shprehet Rama. (A2 Televizion)