Takimi në Uashington me homologun serb Marko Gjuriç, i dha mundësinë shefit të diplomacisë shqiptare, Ferit Hoxha, të përsërisë qëndrimin e shprehur më herët nga Tirana zyrtare, kundër fjalëve të ministres serbe Snezhana Paunoviç, që në një intervistë kishte deklaruar se po të ishte në vend të Milosheviç do të kishte pastruar etnikisht Kosovën.
"Përsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe që bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane. Kjo është ajo që përfaqëson diplomacia: angazhimi në dialog të hapur, shikimi i njëri-tjetrit në sy, përballja me realitetin dhe adresimi i dallimeve me përgjegjësi".
Opozita në Shqipëri ka kritikuar Kryeministrin Rama për një mungesë reagimi ndaj deklaratës së ministres serbe. Shefi i Qeverisë mendon se shteti reagon përmes ministrit të Jashtëm si respekt ndaj vetes, jo me kore histerike “sa herë një çyryk në Beograd flet përçart”, siç shprehet ai.
Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai!
Kundër deklaratës së ministres serbe kanë reaguar edhe përfaqësues të lartë të Brukselit, me eurokomisioneren Marta Kos që ka shprehur habi se si Paunoviç vazhdon të jetë pjesë e kabinetit qeveritar në Serbi. (A2 Televizion)