“Nuk përfiton askush që është nën juridiksionin e SPAK dhe GJKKO”.
Ministri i Drejtësisë dhe përfaqësuesit e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve e nënvizuan disa herë që nuk do të përfitojë nga amnistia penale askush që është dënuar nga Gjykata e Posaçme.
Ngjan si mesazh i detyruar nga Tirana për Brukselin, pas kushtit të vendosur në raportin e IBAR për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Nga drafti i parë me amnistinë penale do të lirohen 380 të dënuar. 900 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Numri mund të jetë më i lartë, nëse do të pranohen propozimet e Komisionit të Ligjeve, si majtas dhe djathtas, shkruan A2.
Nga opozita ishte i pranishëm vetëm deputeti Arjan Ndoja, i cili më shumë se si përfaqësues i opozitës, zgjodhi të fliste si një ish-magjistrat. Ashtu si PS, edhe ish-prokurori mendon që nga kjo amnisti duhet të përfitojnë të dënuarit që kanë marrë vendim të formës së prerë edhe pas 31 dhjetorit të 2025, deadline i vendosur në draft si kusht kryesor.
Nga kjo amnisti do të përfitojnë vetëm ata që po e vuajnë dënimin në burg dhe sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë në sistemin penitenciar ndodhen 4 982 persona, prej të cilëve 1827 të dënuar, ndërsa 2 629 të paraburgosur.
Pas diskutimeve në komisione, amnistia penale do të kalojë në seancë plenare të 18 qershorit. (A2 Televizion)